SHENJTORI I DITES.
Oshënare Makrina. Oshënarët Diosi, Dioklisi, çudibërës. Oshënar Paisi në Kiev.
- Etërit e Sinodit IV Ekumenik -
Sinodi IV Ekumenik mblodhi në Kalqedoni më 451, 630 Etër të ardhur kryesisht nga dioqezat e Lindjes. Në krye të tyre ishte shën Anatoli i Konstandinopojës (3 korrik), të dërguarit e papës së Romës, shën Leontit, Maksimi i Antiokisë dhe shën Juvenali i Jerusalemit (2 korrik). Kjo asamble, më e madhja që Kisha kishte njohur deri më atëherë, u mblodh nga perandorët e perëndishëm Markiani dhe Pulkeria (17 shkurt), që të vendosej paqja dhe uniteti, të cilat ishin cenuar asokohe që me sinodin e rremë të Efesit (449) dhe që të dënohej herezia e Eftiqit.
Pas Sinodit III Ekumenik, partizanët e Shkollës teologjike të Aleksandrisë dhe të Antiokisë nuk kishin arritur në një mendje për formulën e besës për sa i përket bashkimit në Krishtin të dy natyrave, ajo hyjnore dhe njerëzore. Eftiqi, i cili ishte arkimandrit në Konstandinopojë, kishte qenë bashkëpunëtor i shën Kirilit. Në dëshirën e tij për të çrrënjosur çdo gjurmë nestoriane, duke mbështetur argumentet e këtij doktori të madh të besimit, ai thoshte se të dyja natyrat, ajo hyjnore dhe njerëzore, nuk mund të dalloheshin njëra nga tjetra pas Mishërimit, dhe se natyra njerëzore e Krishtit, në një farë mënyre, ishte “përthithur” nga natyra hyjnore. Ndërsa Nestori kishte ndarë të dyja natyrat, Eftiki, që për shkak të krenarisë ishte privuar nga njohja e drejtë e së Vërtetës, e cila është “udha mbretërore” mes dy ekstremeve, ra në herezinë e kundërt dhe fliste për “përzierje” dhe “shkrirje” të të dyja natyrave në një të vetme: natyra hyjnore. Në këtë konceptim, të quajtur monofizizëm strikt , si rrjedhim dilte që Shpëtimtari nuk është vërtet i së njëjtës natyrë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë, ose që nuk u kungua me natyrën tonë njerëzore.
Kur Eftiki i Dhorileos kuptoi te mendimet e Eftikit herezinë që hidhte poshtë tërë misterin e Shpëtimit, u mblodh një sinod në Konstandinopojë, nën drejtimin e shën Flavianit, i cili dënoi arkimandritin (448). Por falë mbështetjes së oborrit, heretiku arriti ta kthente situatën në anën e tij, dhe pas ndërhyrjes së dhunshme të kryepiskopit të Aleksandrisë, Dioskori, gjatë “Hajdutëria e Efesit” (449), ai u shfajësua, dhe shën Flaviani u shkarkua në mënyrë të padrejtë dhe vdiq pak pas keqtrajtimeve që i bënë.
Pas vdekjes së Theodhosit II, i cili kishte mbështetur Eftikin, Markiani dhe Pulkeria u ftuan nga papa shën Leon dhe nga të gjithë orthodhoksët që të ndreqte padrejtësinë dhe të vendoste paqen me anën e një Sinodi Ekumenik. Fillimisht u thirrën në Nikea, në shtator 451, Etërit u transferuan në Kalqedoni, në bazilikën e Shën Efimias (11 korrik). Gjatë gjashtëmbëdhjetë sesionesh, që nga 8 tetori deri në 1 nëntor, ata punuan fillimisht për të dënuar Hajdutërinë e Efesit, të shkarkonin përgjegjësit, Eftikin dhe Dioskorit, dhe për rehabilitimin pas vdekjes së Flavianit; pastaj përsëritën sërish dënimin e Nestorit, i cili ishte dënuar më përpara nga Sinodi i Efesit dhe u përpoqën të rrëzonin monofizizmin e Eftikit. Duke përdorur të njëjtën metodë pajtimi dhe sinteze si ajo e shën Kirilit dhe e Joanit të Antiokisë (433), ata arritën të harmonizonin pikëpamjet respektive të Aleksandrisë, të Antiokisë dhe të Romës, dhe plotësuan veprën e Sinodit të Tretë Ekumenik duke përkufizuar në mënyrë të saktë dogmën e Personit të Krishtit Shpëtimtar (dogmë kristologjike).
Pasi ekzaminuan argumentet e Eftikit, në bazë të Shkrimeve të Shenjta dhe të vendimeve të Sinodeve më të mëparshme, Etërit e shtrinë anatemën mbi këdo që do të shtonte ose të hiqte çfarëdo te të Tri Sinodet Ekumenikë të parë, dhe duke u bazuar në letrën e shën Leonit drejtuar Flavianit , të cilin e përshëndetën si kolonën e Orthodhoksisë, ata hartuan një përkufizim të besës, i cili u lexua solemnisht, në prani të perandorit, gjatë sesionit të gjashtë, më 22 tetor:
“Duke ndjekur Etërit e shenjtë, të gjithë unanimisht rrëfejmë një të vetëm dhe Bir Zotin tonë Jisu Krisht, të njëjtin të përkryer në hyjninë e tij dhe të njëjtin të përsosur në njerishmërinë e tij, të njëjtin Perëndi me të vërtetë dhe njeri me të vërtetë, që ka shpirt të arsyeshëm dhe trup, të bashkësubstancshëm me Atin sipas hyjnisë së tij, dhe i njëjti i bashkësubstacshëm me ne sipas njerishmërisë, i ngjashëm në gjithçka me ne, përveç mëkatit; që lindi prej Atit para shekujve sipas hyjnisë, dhe i njëjti në kohët e fundit, që lindi prej Virgjëreshës Mari, Nëna e Perëndisë, për shpëtimin tonë, sipas njerishmërisë: një i vetëm dhe i njëjti Krisht, Bir, Zot, i Vetëmlindur, i njohur në dy natyra, pa përzierje, pa ndryshim, pa përçarje, pa ndarje , ku dallimi i natyrave nuk u fshirë absolutisht për shkak të bashkimit, por veçantia e çdonjërës u ruajt duke takuar tjetrën në një person unik dhe hipostazë unike: një Krisht i vetëm dhe i njëjtë, i cili u nda, nuk u përça në dy persona, por që është i vetmi dhe i njëjti Zot Jisu Krisht, Biri i Vetëm, Perëndi Fjalë, sikundër profetët e dikurshëm e shpallën, si Jisu Krishti vetë na mësoi dhe ashtu si Simboli i Etërve na e transmetoi.”
Pyetjes së perandorit të gjithë i thirrën: “Të gjithë besojmë kështu. Një besim të vetëm, një gjykim të vetëm. Të gjithë kemi të njëjtat ndjenja. Të gjithë nënshkruam unanimisht. Të gjithë jemi orthodhoksë. Kjo është besa e Etërve. Kjo është besa e Apostujve. Ky besim shpëtoi botën. (...) Perëndia do t’i japë paqen mbretërisë suaj: Markiani, Konstandini i ri! Pulkeria, Elena e re! Ju jeni pishtarët e besës orthodhokse! Jeta juaj është siguria e të gjithëve. Besa juaj është lavdia e Kishave!”
Me këtë përkufizim të besës, unike në thellësinë dhe saktësinë e saj, Etërit e shenjtë, në Personin unik të Fjalës së Perëndisë . Falë besimit të Kalqedonisë, i cili u saktësua më pas nga Etërit si shën Maksim Konfesori dhe shën Joan Damaskinoi, ne, Orthodhoksët, kuptojmë se duke jetuar më Krishtin Perëndi-njeri, vetëm atëherë mund të bashkohemi me Perëndinë, të hyjnizohemi, pa e humbur identitetin tonë të natyrshëm. Bashkimi pa ngatërrim i hyjnisë dhe i njerishmërisë në Krishtin, sipas hipostazës, bëhet bashkim pa ngatërrim i të dyja natyrave, sipas hirit të Shpirtit të Shenjtë, te të krishterët. Qëllimi i Kishës që është Krishti Perëndi-njeri, vazhduar mes nesh deri në fundin e jetëve – është që të na udhëheqë deri në masën e plotësisë së Krishtit (Ef. 4.13), d.m.th. në “hyjnjerëzimin” e plotë. Gjithçka niset dhe kthehet te Personi i Shpëtimtarit, gjithçka atje është “hyjnore-njerëzore”: dogma, m orali, asketizmi dhe lutja, liturgjia, arti i ikonës, muzika. Gjithçka atje është njerëzore, e ndjeshme dhe historike, dhe në të njëjtën kohë plotësisht e hyjnizuar nga energjia e Shpirtit të Shenjtë, në atë mënyrë që vërtet Krishti “jeton” në çdonjërën nga gjymtyrët e Tij dhe në manifestimet e Trupit të tij mistik. Perëndi-njeriu i përkufizuar nga Sinodi i Kalqedonisë është pra për ne të krishterët orthodhoksë, “vlera supreme dhe kriteri i fundit i së vërtetës” , pasi në Të dhe përmes Tij shkojmë te Perëndia dhe birësohemi prej Tij.
Në sesionet e mëpasshëm, Etërit rregulluan çështjet e rregullit dhe të disiplinës kishtare, dhe nxorën me ligj 27 Kanune, të cilave iu shtua edhe një dekret që konfirmonte Kanunin e Tretë të Sinodit të Dytë Ekumenik dhe i jepte fronit të Konstandinopojës – si kryeqytet – rangun e dytë pas Romës dhe juridiksionin patriarkal mbi dioqezat e Azisë, të Pontit dhe të Thrakës, si dhe komunitetet e krishtera jashtë kufijve të Perandorisë.
* * * *
- Oshënare Makrina -
Oshënare Makrina, motra e shën Vasilit të Madh (1 janar) dhe e shën Grigorit të Nisës (10 janar), ishte më e madhja nga 10 fëmijët e kësaj familjeje të shenjtë. Tregohet se, kur ajo lindi (327), një krijesë qiellore iu shfaq tri herë nënës së saj, Emelias, duke e urdhëruar që t’i jepte fëmijës emrin e shën Theklës (24 shtator), martires së parë dhe modelit të virgjëreshave të krishtera. Por vajza mori emrin e gjyshes së saj, Makrina, e cila kishte qenë nxënëse e shën Grigor Çudibërësit (17 nëntor) dhe kishte jetuar e fshehur në pyjet e Pontit gjatë persekutimeve të mëdha. E ëma u kujdes për edukimin e saj, jo me gjëra të kota të botës, por me urtësinë e Shkrimeve të Shenjta.
Kur u rrit, bukuria e saj nuk mund të fshihej dhe, në moshën 12-vjeçare, i ati e fejoi me një të ri me emër të mirë, që kishte mbaruar studimet dhe kishte premtuar se do të priste Makrinën derisa të mbushte moshën e duhur për martesë. Por, para martesës, Perëndia e mori të riun dhe kështu Makrina mundi të realizonte dëshirën e saj: të jetonte një jetë në pastërti. Iu ofruan shumë raste për martesë, por ajo e konsideronte veten si vejushë, ndonëse nuk kishte pasur më parë jetë bashkëshortore. Qëndroi me të ëmën dhe ndihmoi në edukimin e vëllezërve dhe motrave më të vogla. Pas vdekjes së të atit (341), u mor me administrimin e pronave në Pont, Kapadoki dhe në Armeni.
Makrina u ushtrua në asketizëm bashkë me nënën e saj. Ajo ishte për të gjithë mbrojtje, mësuese dhe model i virtytit. Emelia, kur u rritën fëmijët, e ktheu shtëpinë në manastir. Shërbyeset u bënë shoqe asketizmi dhe Makrina arriti ta bindte Vasilin, i cili u kthye nga Athina pasi mbaroi shkëlqyeshëm studimet atje, t’i përkushtohej jetës engjëllore. Pranë manastirit të grave, i cili shtohej dita-ditës, u formua edhe një komunitet burrash i drejtuar nga vëllai më i vogël i Makrinës, Petroja, episkopi i ardhshëm i Sevastisë.
Vëllai tjetër, Shën Nafkrati (8 qershor), u tërhoq në një vend të shkretë, në bregun tjetër të lumit Iris, ku më pas shkoi edhe shën Vasili, i cili i ndihmonte etërit më të vjetër me gjuetinë e tij. Të çliruara nga zinxhirët e botës, Makrina bashkë me vajzat e tjera jetonin një jetë engjëllore. Nuk kishte mes tyre zemërim, smirë, urrejtje, arrogancë apo diçka tjetër të ngjashme me to. Jetonin në vetëpërmbajtje, larg dëshirës për lavdi. E siguronin vetë jetesën. Makrina u sëmur nga një tumor në gji. Me gjithë përgjërimet e nënës së saj, ajo refuzoi të merrte mjekim nga mjeku, duke e gjykuar si jo të pëlqyeshme zbulimin e pjesës së trupit të saj. Gjithë natën e kalonte në lutje dhe e mjekonte plagën me baltën e përzier me lotët e saj.
Një mëngjes i kërkoi së ëmës t’i bënte kryqin mbi plagë dhe qelbi u zhduk menjëherë; mbeti vetëm një shenjë e plagës. Kishte arritur në një vetëpërmbajtje kaq të madhe sa, kur vdiq Nafkrati në një aksident në gjueti, ajo ishte mbështetje e fuqishme për nënën. Gjithashtu edhe kur vëllazërinë e goditën vdekje të njëpasnjëshme. Në kohën kur në Kapadoki ra zija e bukës, manastiri i tyre u bë strehë ngushëllimi për të gjithë popullin e zonës. Lutja e shën Makrinës siguronte rezerva të cilat i shpërndanin te nevojtarët.
Pak kohë pas vdekjes së shën Vasilit, shën Grigori i Nisës mori vesh për gjendjen shumë të rëndë shëndetësore të Makrinës dhe pas 9 vjet mungese, ai shkoi tek ajo. E gjeti të shtrirë në shtrat në ethe, megjithëse shpirti sodiste të mirat qiellore. Në çdo çast fliste për dashurinë e Dhëndrit të saj, Krishtit.
|